Termokos nis sot sezonin ngrohës në Prishtinë

Sot ka nisur zyrtarisht sezoni ngrohës 2026/2027 në kryeqytet.

Ndërmarrja Publike “Termokos” ka bërë të ditur se janë përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e furnizimit me ngrohje për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes qendrore.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, pas vlerësimit të përgatitjeve dhe koordinimit me Komunën e Prishtinës, është konstatuar se janë plotësuar kushtet për nisjen e sezonit të ri ngrohës.

Në kuadër të përgatitjeve, “Termokos” ka finalizuar aktivitetet e nevojshme për funksionalizimin e sistemit, ndërsa është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Megjithatë, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, me qëllim të garantimit të sigurisë së pajisjeve dhe stabilizimit të plotë të sistemit.

Ndërmarrja synon që, pas rritjes graduale të kapacitetit, furnizimi me ngrohje të stabilizohet për të gjithë konsumatorët e kyçur në rrjetin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.