Prej më shumë se 120 ditësh, Shqipëria po përballet me protesta të vazhdueshme qytetare, të cilat pas një periudhe tubimesh paqësore janë përshkallëzuar ditët e fundit në përplasje të dhunshme me policinë, dëmtime të pronës publike dhe private dhe tensione në disa prej zonave kryesore të Tiranës.
Studentët dhe të rinjtë, të mbështetur edhe nga qytetarë e pedagogë, kanë ngritur shqetësime për gjendjen në arsim, korrupsionin dhe mungesën e perspektivës, ndërsa kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë intensifikuar.
Përballë situatës, qeveria ka bërë thirrje për dialog ndërsa ndërhyrjet policore, arrestimet dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës kanë shtuar debatet mbi të drejtën për protestë dhe përgjegjësinë institucionale.
Lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri për “Front Online” kanë folur analistë dhe gazetarë nga Shqipëria, të cilët kanë komentuar përshkallëzimin e protestave, pakënaqësinë qytetare dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke sjellë qëndrimet mbi situatën politike në vend.
Qafmolla: 120 ditë protesta pa përgjigje, dorëheqja e Ramës e vetmja zgjidhje realiste
Gazetari nga Shqipëria, Ervin Qafmolla për “Front Online” ka folur lidhur me përshkallëzimin e protestave qytetare në vend, duke e konsideruar atë pasojë të mungesës së përgjigjes dhe reflektimit nga ana e pushtetit.
“Përshkallëzimi i protestave qytetare në akte dhune vjen pas më shumë se 120 ditësh me tubime të pandërprera paqësore, të cilat nuk morën asnjë përgjigje dhe asnjë reflektim nga pushteti”, deklaron Qafmolla.
Qafmolla thotë se studentët përballen me kushte të papërshtatshme arsimore. “Studentët dhe moshat e tjera të reja janë ndër grupet më të diskriminuara dhe të keqpërfaqësuara në vendimmarrjen publike. Nuk kanë kushte aspak të përshtatshme mësimore, nuk kanë hapësira dhe mundësi publike kulturore dhe rekreative”, shprehet ai.
Gazetari Qafmolla tha se kërkesa e vetme reale është dorëheqja e Edi Ramës. “Kërkesa për dorëheqje të Edi Ramës është e vetmja kërkesë realiste, sado e pamundur të duket”.
Ai kritikon gjithashtu qeverinë për mosmbajtjen e premtimeve ndaj studentëve, duke e cilësuar mosbesimin e tyre si një reagim të justifikuar. “Qeveria thuajse nuk i ka mbajtur premtimet e mëparshme ndaj studentëve, ndaj edhe mosbesimi i tyre është jo vetëm legjitim, por i drejtë dhe i pashmangshëm”, thekson gazetari.
Qafmolla paraqet një kritikë të fortë ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend, duke ngritur akuza për pastrim parash, korrupsion dhe bashkëpunim mes zyrtarëve shtetërorë dhe grupeve kriminale.
“Pastrimi masiv i parave nga trafiku ndërkombëtar i drogës dhe korrupsioni ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën shoqërore të vendit, duke gjymtuar prodhimin vendas, përfshi bujqësinë, blegtorinë dhe eksportet”, deklaron Qafmolla.
Ai ka akuzuar policinë dhe persona që ai i identifikon si pjesëtarë të grupeve kriminale për përshkallëzimin e situatës.
“Përballë kësaj gjendjeje tragjike që po kalon vendi, përshkallëzimi i vërtetë i dhunës ka ardhur nga policia dhe grupet kriminale që i janë bashkuar njerëzve me uniformë, shpesh me rroba civile dhe të maskuar”, deklaron gazetari.
Qafmolla tha se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te veprimet e disa protestuesve, por te problemet më të gjera politike. “Armiku nuk janë disa të rinj që djegin kazanë mbeturinash dhe thyejnë ndonjë dyqan, por sistemi kriminal që është ngritur si shtet paralel në Shqipërinë e ditëve tona”, shprehet Qafmolla.
Njohësi i çështjeve politike në Tiranë, Idaver Sherifi ka thënë për “Front Online” se protestat e studentëve pasqyrojnë një pakënaqësi më të thellë shoqërore dhe humbjen e besimit të një brezi te e ardhmja në Shqipëri.
Ai kërkon përgjegjësi politike nga kreu i qeverisë. “Protestat e studentëve nuk duhen parë thjesht si një reagim ndaj disa problemeve të arsimit apo kushteve ekonomike. Ato janë një sinjal shumë më i thellë i pakënaqësisë së një brezi të tërë, i cili po humbet besimin se në këtë vend mund të ndërtojë një të ardhme dinjitoze”, deklaron Sherifi.
Sherifi vlerëson se dorëheqja e Ramës do të përbënte një akt përgjegjësie politike. “Dorëheqja e kryeministrit do të ishte një akt i rëndësishëm përgjegjësie dhe maturie demokratike. Ajo nuk duhet parë si dorëzim përballë protestave, por si një mundësi për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re politike, përmes mekanizmave kushtetues dhe demokratikë”, tha Sherifi.
Ai thekson se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen nga politika pa paragjykime apo etiketime. “Kur studentët, që përfaqësojnë të ardhmen e Shqipërisë, dalin në rrugë dhe kërkojnë ndryshim, politika ka detyrimin t’i dëgjojë, jo t’i paragjykojë apo t’i etiketojë”, shprehet ai.
Sherifi dënon dhunën dhe dëmtimin e pronës publike apo private, por thotë se incidentet nuk duhet të përdoren për të shmangur debatin mbi arsyet themelore të pakënaqësisë qytetare. “Dhuna dhe dëmtimi i pronës publike apo private nuk mund të justifikohen dhe protesta duhet të mbetet paqësore. Nuk mund të përdoren incidentet e dhunshme për të shmangur debatin mbi shkaqet reale që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë”, thekson Sherifi.
Sipas tij, fakti që situata ka ardhur pas më shumë se tre muajsh protestash paqësore e bën të domosdoshme një analizë më të thellë të përgjegjësive politike dhe institucionale. “Situata ka arritur këtu pas protestave paqësore mbi tre mujore, dhe tani ka arritur në një pikë ku përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm në nivel ministrash, drejtorësh apo institucionesh të veçanta. Përgjegjësia politike fillon nga kreu i qeverisë”, deklaron ai.
Sherifi shprehet se pas më shumë se 13 vitesh në pushtet, kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen e vendit. “Një qeveri duhet të marrë përgjegjësi jo vetëm për arritjet që reklamon, por edhe për dështimet dhe të ketë një qasje më të përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve”, thekson Sherifi.
Sipas tij, dialogu dhe funksionimi i institucioneve mbeten thelbësore për tejkalimin e krizës. “Jam për dialogun dhe funksionimin e institucioneve. Por dialogu nuk mund të jetë një instrument për të fituar kohë. Ai duhet të shoqërohet me përgjegjësi konkrete politike”, shprehet ai.