Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, është caktuar ushtruese e detyrës së kryetares së kësaj partie, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit.
Çitaku është propozuar për këtë pozitë nga vetë Hamza, i cili sot njoftoi dorëheqjen nga drejtimi i PDK-së.
Pas këtij zhvillimi, Çitaku ka reaguar publikisht, duke e falënderuar Hamzën për angazhimin dhe kontributin e tij në udhëheqjen e partisë.
“Sot, kur Bedri Hamza përmbylli angazhimin e tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, dua ta falënderoj përzemërsisht dhe publikisht për përkushtimin dhe mirëkuptimin gjatë rrugëtimit tonë të përbashkët në këtë nivel bashkëpunimi. Bedri, ka qenë kënaqësi dhe nder të punojmë bashkë. Në një periudhë intensive, me tri palë zgjedhje nacionale në mes, maturia dhe besimi yt na kanë dhënë forcë për të ecur përpara”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se Hamza e mori drejtimin e partisë për t’i shërbyer PDK-së dhe Kosovës, duke vlerësuar gjithashtu angazhimin e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“Ti e more përgjegjësinë e kryetarit i shtyrë nga nevoja për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës, jo për ambicie personale. Në një kohë të vështirë, ky angazhim ishte edhe në shërbim të çlirimtarëve tanë në Hagë, për të cilët u angazhove me tërë qenien. Jam e bindur se kemi ende shumë punë të mira për të bërë së bashku për PDK-në dhe Kosovën. Faleminderit për të gjitha, Bedri!”, ka shkruar ajo.