Shënohet viktima e dytë nga koronavirusi në Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka informuar se një pacient me koronavirus ka ndërruar jetë në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe sëmundje febrile në Shkup. Bëhet fjalë për një burrë të moshës 63-vjeçar nga Dibra.

Siç informojnë nga Ministria e Shëndetësisë, pacienti ishte shtruar për kurim në Klinikën e Sëmundjeve Infektive më 17 mars, pa temperaturë të lartë trupore.

“Gjatë natës gjendja e tij u përkeqësua në mënyrë të papritur, ai menjëherë u intubua, u vendosë në një aparat të frymëmarrjes, por brenda disa orësh gjendja e tij u përkeqësua më tej dhe pacienti vdiq. Pacienti nuk kishte histori të njohur të komorbiditetit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë ditës së djeshme në Maqedoninë e Veriut u shënua viktima e parë nga virusi korona, një grua e moshës 57-vjeçare nga Kumanova.