Ndryshimet për Ligjin e Speciales i është dërguar Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është dërguar në Qeveri për shqyrtim. 

“Në emër të partisë Kryesisë i kërkova që fillimisht Kuvendi ta ketë deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam ta kemi deklaratën e përbashkët në seancën që do mbahet të hënën. Më e rëndësishme është nisma ligjore që e kemi dorëzuar në Kuvend dhe prej Kuvendit nisma për mendim ka shkuar në Qeveri. Andaj presioni i të gjithëve duhet të jetë te Qeveria”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se Kuvendi duhet të sillet me përgjegjshmëri, duhet të reflektojë ndërgjegje, gatishmëri dhe duhet të bëjë veprimet e nevojshme, urgjente karshi situatës me të cilën po ballafaqohet vendi pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. 

Tahiri ka thënë se kjo situatë është urgjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale. 

Ai ka thënë se kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, është zotuar që të angazhohet që nisma për ndryshim të ligjit të trajtohet me urgjencë. 

“Këtë kërkesë dhe presion e bërë te Kryesia ku Haxhiu u zotua se personalisht do të angazhohet dhe do komunikojë me kryeministrin që kjo nismë të trajtohet me urgjencë. Të mos neglizhohet dhe të sigurohet vullneti i secilës forcë politike që të bëhet amandamenti i Ligjit për Dhomat e Specializuara karshi situatës në të cilën jemi”, ka theksuar Tahiri.

Ai ka thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit nuk është temë njëherë. 

Me anë të ndryshimeve ligjore që janë propozuar nga Partia Demokratike synohet që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë. PDK-ja e ka dorëzuar nismën në Kuvend në fillim të kësaj jave.