A do ta votojë PDK-ja Projektligjin për Rimëkëmbje dhe a do t’i bashkohet LDK-së në qeverisje?

Për të gjashtën herë, Qeveria do ta procedojë për votim Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, pas situatës së krijuar nga pandemia me COVID-19..

Për kalimin e këtij, Qeveria nuk i ka pasur deri më tani votat e mjaftueshme, e shpresa për kalimin e tij është Partia Demokratike e Kosovës.

Nga kjo parti për Front Online, kanë thënë se ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë edhe pse ka mbetur edhe një ditë nga mbajtja e seancës.

Deputeti Ferat Shala, tha për Front Online, se së shpejti do ta kenë një takim me Grupin Parlamentar dhe do të vendosin se çfarë do të bëjnë.

“Ne ende nuk jemi  takuar si grup për të marrë qëndrimin e fundit. Ne mund t’i komentojmë vetëm qëndrimet dhe propozimet tona të cilat kanë qenë shumë transparente të propozuara nga shefi i Grupit Parlamentar, Bedri Hamza. Pritet që të kemi një takim me grupin parlamentar  shumë shpejt dhe do të marrim një vendim”, tha ai.

Ndërsa për përfshirjen e PDK-së në Qeveri, Shala tha se nuk ka asgjë konkrete, por në rast se është në pyetje interesi i vendit mund të ndryshojnë qëndrim, pasi që siç tha ai, PDK-ja ka qenë çdo herë koherente me interesin nacional të vendit.

“Nuk janë qëndrime të PDK-së, janë qëndrime të koloarve, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë tash për tash kemi ketë qëndrim, por nëse interesi nacional apo shoqëror është ne kemi qenë koherentë me interesin nacional, ne nuk e kemi interes çështjen e pushtetit por e kemi interes zhvillimin e vendit dhe stabilitetin e tij”, ka thënë Shala.