Sunny Hill Festival

A janë zgjedhjet lokale mollë sherri për bllokadën institucionale?

Në Kosovë, momentalisht, nuk po ndodh asgjë – dhe, njëkohësisht, po ndodh gjithçka. Asgjë, sepse në mungesë të një qeverie me kompetenca ekzekutive, shumë punë kanë mbetur pezull. Dhe, gjithçka, për faktin se çdo 48 orë që mbahet seancë për konstituimin e Kuvendit, del një tezë e re se pse është katandisur situata deri në këtë pikë. A janë zgjedhjet lokale faktori që fshihet prapa krizës?

Ndonëse ende nuk janë finalizuar të gjithë hapat e domosdoshëm pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – nisur nga konstituimi i Kuvendit – Kosova i ka nisur përgatitjet për një palë zgjedhje të reja, ato lokale, që do të mbahen më 12 tetor.

Dhe, janë pikërisht ato që përmenden secilën herë e më shumë si një tjetër faktor se pse partitë politike po qëndrojnë të gozhduara në qëndrimet e tyre, dhe nuk e kanë opsion kompromisin e bashkëpunimin për zhbllokimin e ngërçit në Kuvend, që do t’i hapte rrugë edhe formimit të qeverisë së re.

Deputetë, sikurse Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk ekzistojnë matematika të tilla.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës mendon se në secilin proces zgjedhor, koalicionet qendrore e kanë diktuar dinamikën e bashkëpunimeve në nivelin lokal, por problemi më i madh tani qëndron te diskursi tejet i tensionuar i partive politike.

“Publiku në Kosovë është ushqyer në javët dhe muajt e fundit nga një retorikë përçarëse, e cila e sheh bashkëpunimin me palën tjetër jo vetëm si të pamundur, por edhe si të gabuar e të padobishëm. Në njërën anë, duke i konsideruar partitë si pjesë të regjimeve të korruptuara, që është retorika e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dhe në anën tjetër, retorika e partive tjera në raport me LVV-në, që bashkëpunimi me të është me dikë që e ka shkatërruar vendin përgjatë mandatit të fundit”.

Sipas tij, subjektet politike do ta përdorin krizën aktuale për të ndikuar te votuesit e tyre.

“Gara aktuale nuk është se kush do t’i formojë institucionet, por kujt do t’i bjerë faji në rast të dështimit për t’i zgjedhur ato. Retorika përçarëse mund të jetë kartë, e cila mobilizon votues, përderisa bashkëpunimi, për fat të keq, vijon të shihet si antivlerë”.

Pse nuk bashkëpunojnë PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja me LVV-në?

Për Tahirin, nuk ekziston asnjë kalkulim me vota dhe, sipas tij, PDK-ja e ka shtrirë dorën e bashkëpunimit në gjetjen e një kandidati të pranueshëm për kryeparlamentar, duke mos i përfshirë ministrat që kanë qenë në qeveri mandatin e kaluar.

“PDK-ja nuk ka më ku të shkojë, nuk ka më ndonjë instrument që mund ta përdorë për zgjidhjen e këtij ngërçi. Ne kemi ofruar kompromisin, paçka se nuk jemi parti e parë dhe nuk na takon ta propozojmë kryetarin e Kuvendit”.

Mustafa thotë se LDK-ja ka treguar qartë pse nuk dëshiron koalicion me LVV-në.

“Është gjuha e tyre dhe qasja e tyre polarizuese, edhe për shoqërinë, edhe për skenën politike. S’ka të bëjë asgjë me zgjedhjet lokale”.

Kadrijaj pohon se AAK-ja nuk dëshiron të bashkëpunojë me LVV-në, për shkak të “qeverisjes së saj të keqe” në mandatin e kaluar, dhe jo për ndonjë arsye tjetër.

“Ju e dini që ne kemi dhënë propozime të cilat nuk janë mirëpritur, dhe tani është e drejta e tyre për sigurimin e shumicës së thjeshtë”.

Në anën tjetër, përfaqësues të partisë që ka fituar më së shumti vota më 9 shkurt, LVV-së, nisur prej kryetarit të saj, Albin Kurti, kanë deklaruar disa herë se u kanë bërë oferta LDK-së dhe Nismës Socialdemokrate, por që ato nuk janë konkretizuar me marrëveshje.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, beson se duhet arritur “zgjidhje përfundimtare, jo parciale”.

Cila mund të jetë zgjidhja?

Edhe politologu nga Prishtina, Dritëro Arifi, konsideron se zgjedhjet lokale mund të jenë njëri faktor pse partitë po hezitojnë që të bashkëpunojnë. Sipas tij, ato besojnë se tregojnë “dobësi” nëse bisedojnë me palën që deri dje e kanë akuzuar.

“Janë ato vijat e kuqe të mençurisë dhe çmendurisë. Për fat të keq, ne e kemi kaluar vijën e kuqe të çmendurisë politike. Pra, shteti veç është dëmtuar. Natyrisht, përgjegjësia është te të gjithë 120 deputetët, por përgjegjësia shkon edhe sipas numrit të votave”.

Sipas tij, vetëm “një koalicion i madh e shpëton vendin, pavarësisht se kush do të jetë kryeministër”.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

LDK-ja pati fituar më së shumti komuna, pasuar nga LVV-ja dhe PDK-ja. Shumica e kandidaturave për kryetarë komunash tashmë janë bërë publike. /REL/