Sunny Hill Festival

A zgjoheni midis orës 2 dhe 4 gjatë natës? Ja cilat janë shkaqet

Zgjimi i përsëritur gjatë natës, veçanërisht në orët mes 2 dhe 4 të mëngjesit, është një përvojë e zakonshme për shumë njerëz. Sipas ekspertëve, kjo mund të ndodhë si rezultat i cikleve natyrale të gjumit, por ndikohet fuqishëm edhe nga dieta dhe zakonet e mbrëmjes.

Pas katër deri në pesë orësh gjumë, trupi kalon në një fazë më të lehtë të gjumit, duke e bërë më të lehtë ndërprerjen e tij nga faktorë të jashtëm ose të brendshëm. Njerëzit që flenë herët në mbrëmje janë më të prirur të zgjohen në këto orare të natës.

Sipas mjekes Dr. Mariyam H. Malik, mungesa e magnezit në organizëm mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit. Magnezi luan rol kyç në relaksimin e muskujve dhe rregullimin e neurotransmetuesve. Ajo paralajmëron gjithashtu për konsumimin e kafeinës, ushqimeve të rënda, alkoolit dhe sheqerit para gjumit.

“Dieta e pasur me sheqer dhe karbohidrate të rafinuara mund të shkaktojë luhatje të sheqerit në gjak, që shpesh çojnë në zgjime gjatë natës”, tha Dr. Malik për Daily Express.

Ekspertja e gjumit, Lisa Artis nga organizata The Sleep Charity, pajtohet me këtë qëndrim dhe rekomandon ushqime të pasura me proteina dhe magnez në vaktin e fundit të ditës, si: gjiza, vezë, fara kungulli apo mish gjeli. Ajo thekson se ulja e nivelit të sheqerit në gjak gjatë natës mund të mos shkaktojë uri, por mund të nxisë zgjimin.

Përveç ushqimit, një rutinë e shëndetshme para gjumit është po aq e rëndësishme. Dr. Malik sugjeron shmangien e ekraneve elektronike, të cilat lëshojnë dritë blu që ndikon negativisht në prodhimin e melatoninës – hormonit që rregullon gjumin.

“Angazhohuni në aktivitete qetësuese si leximi, muzika relaksuese, meditimi ose frymëmarrja e thellë para gjumit”, këshillon ajo, ndërsa sugjeron që pajisjet të mbahen larg dhomës së gjumit, ose të përdoren filtra të dritës blu nëse shmangia e tyre nuk është e mundur.