Abdixhiku: Dy rrugë për zgjedhjen e Presidentit

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka deklaruar se janë diskutuar dy rrugë të mundshme për procesin e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit.

Sipas Abdixhikut, opsioni i parë është arritja e një konsensusi politik ndërmjet faktorëve politikë të vendit, i cili duhet të ndërtohet brenda nëntë ditëve të ardhshme, ndërsa opsioni i dytë është një marrëveshje klasike politike ndërmjet partive. Ai theksoi se në të dyja rastet nevojitet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit.

“Janë vetëm dy rrugë përpara: ose konsensus politik, ose marrëveshje politike ndërpartiake. Në të dyja rastet kërkohen 2/3 e votave. Jemi marrë vesh të vazhdojmë takimet edhe në ditët në vijim”, tha Abdixhiku.

Ai sqaroi se gjatë takimit nuk është diskutuar për emra konkretë, por vetëm për rrugët dhe procedurat që mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.

Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës(PDK), Bedri Hamza, në kuadër të konsultimevet me partitë politike lidhur me zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.