Abdixhiku: Kërkojmë dorëheqjen e atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “jologjike” adresimin e Lëvizjes Vetëvendosje te presidentja e vendit lidhur me situatën e krijuar në Kuvend më 15 prill me dështimin e seancës konstituive pasi opozita nuk e votoi raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve.

Ai ka thënë se përfaqësuesit e LDK-së do të kërkojnë të enjten dorëheqjen e ministrave, që sipas këtij subjekti, po i mbajnë dy poste meqë, siç thotë opozita, nuk kanë dhënë dorëheqje nga posti i ministrit.

“Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani, në përgjigjen ndaj letrës së Avni Deharit si kryesues i seancës konstituive, ka theksuar se ashtu siç e parasheh Kushtetuta, Gjykata Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj, pra 48 orë nga 15 prilli.