Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, në prag të mbledhjes së radhës për konstituimin e Kuvendit – e cila do të jetë tentativa e 28-të brenda më shumë se tre muajsh pa rezultat.
Sipas Abdixhikut, klasa politike ka dështuar të prodhojë një shumicë funksionale, ndërsa kriza po kthehet në një normalitet të rrezikshëm për shtetin.
“Askush pas tre muajsh nuk ka një shumicë. Prandaj edhe tentativa e 28-të do të përfundojë pa epilog – veç si prolog i tjetrës,” shkruan ai.
Abdixhiku thekson se qytetarët janë lënë pas dore dhe se përfaqësimi po bie nën peshën e interesave partiake. Ai shpreh bindjen se ekziston ende një vetëdije politike që ndjen përgjegjësi për të dalë nga kjo situatë.
Thirrje për bashkim rreth një zgjidhjeje të përbashkët
Kreu i LDK-së i bën thirrje të qartë liderëve të VV-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMËS që të reflektojnë dhe të pranojnë propozimin e tij për një Qeveri të Unitetit, si një formë e vetme për të garantuar funksionimin e institucioneve.
“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi – nëse e trajtojmë me guxim dhe përgjegjësi,” shton ai.
Agjenda 15-pikëshe në përgatitje
Në postimin e tij, Abdixhiku paralajmëron se brenda javës do të dalë me një platformë të qartë 15-pikëshe, të cilën do t’ua ofrojë të gjitha partive, pa përjashtim.
“Uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri,” shprehet ai, duke theksuar se vendit i duhet një pozitë legjitime, një kuvend funksional dhe një shtet që punon, e jo vetëm një opozitë që kritikon.
Në përmbyllje, ai shton refuzimi është i lehtë.
“Të refuzosh, është e lehtë. Të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë, është e rëndë. Le të provojmë unitetin – mund edhe të mos jetë aq keq.”