Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit, duke theksuar se ky është hapi më moral që një kryetar partie mund të ndërmarrë pas rezultateve zgjedhore.
Përmes një postimi publik, Abdixhiku ka bërë të ditur se pas një diskutimi të gjatë brenda strukturave të LDK-së, që ka zgjatur mbi pesë orë, është arritur një qëndrim i përbashkët që, sipas tij, përfaqëson mendimin e shumicës dërrmuese dhe jo të një individi të vetëm.
“Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas LDK-së si institucion.
Ai ka theksuar se dorëheqja e tij është vendosur në tavolinë për t’i hapur rrugë secilit që ka ambicie për ta udhëhequr partinë, duke ftuar anëtarësinë që të shfrytëzojë Kuvendin e LDK-së si instancën më të lartë vendimmarrëse.
“Vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, ka theksuar Abdixhiku, duke nënvizuar se çdo proces duhet të zhvillohet me rregull, dinjitet dhe respekt për demokracinë e brendshme të partisë.
Kryetari i LDK-së ka paralajmëruar se Kuvendi i partisë është thirrur dhe se aty do të zhvillohet debati i hapur për të ardhmen e lidershipit, duke refuzuar, siç tha ai, vendimmarrjen përmes presionit të rrjeteve sociale apo reagimeve të çastit.
Në fund, Abdixhiku ka siguruar se çfarëdo vendimi që të marrë Kuvendi i LDK-së, ai do ta respektojë me qetësi dhe nder, duke theksuar se mbi çdo emër individual qëndron LDK-ja si institucion.