Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet brenda partisë, pas vendimit të Kuvendit të LDK-së që ai të vazhdojë mandatin si kryetar, pavarësisht rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në fjalimin e tij pas votimit, Abdixhiku theksoi se procesi i brendshëm nuk duhet të shihet si përplasje mes palëve, por si një moment reflektimi dhe riorganizimi për partinë.
“Në këtë mes nuk ka as humbës e as fitues. Ka vetëm një LDK që duhet ta ringrejë veten”, ka deklaruar ai, duke kërkuar bashkim për ta rikthyer partinë në rolin e saj historik.
LDK-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare arriti të sigurojë vetëm 15 ulëse në Kuvend, rezultat ky që u cilësua si dështim elektoral. Pas këtij rezultati, Abdixhiku kishte paralajmëruar se do ta ofronte dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, duke lënë vendimmarrjen në duart e delegatëve.
Megjithatë, dorëheqja e tij u shoqërua me interpretime të ndryshme brenda LDK-së. Anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, e kishte cilësuar dorëheqjen si akt të kryer dhe kishte shpallur publikisht kandidaturën e tij për kryetar të partisë, duke hapur debat të brendshëm për drejtimin e LDK-së.
Pavarësisht kësaj, Kuvendi i LDK-së, përmes votimit të fshehtë, vendosi që Abdixhiku të vazhdojë të udhëheqë partinë. Zhvillimet e fundit pritet të pasohet me analiza të thella dhe vendime për reforma të brendshme, në përpjekje për ta konsoliduar LDK-në dhe për ta përgatitur për sfidat e ardhshme politike.