Abdixhiku u kërkon kosovarëve që jetojnë jashtë të mos kthehen nëse nuk kanë urgjenca

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se sot janë kthyer 55 kosovarë nga vende të ndryshme të botës dhe se të njëjtit janë vendosur në Qendrën e Karantinës, ku do të qëndrojnë 14 ditë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se si ministër në detyrë do të vazhdoj koordinim in institucional të kthimit deri në momentin e fundit.

“Si Ministër në detyrë do të vazhdoj koordinimin institucional të kthimit deri në momentin e fundit. I falenderojë të gjithë të angazhuarit në ministrinë tonë, ata në diplomaci, polici, shëndetësi e ushtri që mundësuan këtë kthim. Po i jepni kuptim shtetit”, ka thënë Abdixhiku.

Ai i ka lutur shtetasit e Kosovës që nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat e Kosovës nëpër botë.

“I lus shtetasit e Kosovës që nuk kanë urgjencë kthimi të mos paraqiten në ambasadat tona nëpër botë. Si shtet i ri kemi nevojë për ndihmën tuaj; për durim. Po patët mundësi, kudo që jeni në botë, qëndroni në shtëpi”, ka shkruar Abdixhiku.