Abdixhiku: Votuesit tani dënuan arrogancën, 14 shkurti për palën tjetër ishte fund, ndërsa për neve fillim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si rikthim të LDK-së rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai u shpreh se këtyre zgjedhjeve iu qasën pas një rezultati të rëndë, më të rëndin historik më 14 shkurt, dhe se në këtë periudhë kishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme me kandidaturat e tyre, që i vlerësoi profesionale, të kohës, të afërta me qytetarë dhe me riorganizimin e brendshëm partiak.

“Ne e lexuam qartë mesazhin e 14 shkurtit për t’i dhënë qytetarëve një ofertë, që doli të jetë e pranueshme në masë të madhe në Kosovë”, deklaroi ai.

“LDK në 7 komuna është e para si parti, edhe për kryetarë edhe për asamble lokale, dhe dy komuna i ka të fituara tani për tani pa balotazh dhe jemi në pritje edhe për Fushë Kosovën se 13 vota janë diferencë, dhe besojmë që me votat me kusht dhe ato të mërgatës edhe Fushë Kosova do të kalojë pa balotazh”.

“Jemi në shtatë komuna si të parët, por ajo çka është me rëndësi është që jemi në 11 komuna në garë, ose të paret, ose të dytët, dhe në dy komuna tjera jemi të dytët por jo në balotazh – në Therandë dhe Deçan”.

Abdixhiku shtoi se për ta e rëndësishme ka qenë që në të gjitha komunat ku kanë qeverisur më 2017-ën t’i mbajnë, të jenë në garë, t’i fitojnë, pastaj ta bëjnë rikthimin në Podujevë, dhe po ashtu ta kenë garën në kryeqytet – në balotazh, dhe se këto objektiva sipas tij janë arritur në plotni.

“Besojmë që me votat e mërgatës dhe ato me kusht, LDK edhe për asamble komunale do të jetë partia e parë në vend”.

Përveç kësaj, i pari i LDK-së deklaroi se votuesi i Kosovës e ka dëshmuar një nivel të lartë të vlerësimit kritik, ku në një proces e vlerëson dikë, ndërkaq në tjetrin e dënon me notë shumë të ulët.

“Partia në pushtet ka nisur garën me synimin e fitimit të 2/3 së komunave dhe se fitorja e nivelit qendror nuk është e plote pa atë lokal”.

“Ka mesazhe polarizuese të palës tjetër që janë të panevojshme, se s’ka nevojë skena politike për polarizim të tillë. Mesazhi politik që po ndërtohej prej palës tjetër që ‘ne jemi këtu kundër të korruptuarve atje’ ishte i gabuar, dhe qytetarët këtë e shohin, se kemi qytetarë që kanë vlerësim të saktë për secilin proces”.

“Arrogancën e dënuan dhe ofertën politike tonën e vlerësuan. 14 shkurti për palën tjetër ishte fund, për neve ishte fillim. Skena politika ka ndryshuar në Kosovë. Nuk mundesh me kauzë të vjetër të besh politikë në të ardhmen. Ajo që pala tjetër e ka bërë është se mbështetja s’është e përhershme, se në këtë vend njerëzit vlerësojnë drejt dhe në masë kritike”.

“Për mua 14 shkurti është mësim politik, edhe për LDK-në, dhe 17 tetori po ashtu është mburrje dhe mësim se kah duhet shkuar përpara. Ky do të jetë drejtimi ynë, pa arrogancë”, përfundoi Abdixhiku.