Në episodin më të ri të Përballje Podcast, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë një analizë të thellë mbi gjendjen politike në nivel qendror, duke thënë se “fituesi i vërtetë” në politikë nuk është gjithmonë ai që mban pushtetin, por ai që arrin ta imponojë narrativën publike.
Sipas tij, në Kosovë këtë e ka arritur kryeministri Albin Kurti, i cili, edhe kur është në krizë politike, arrin të diktojë mënyrën si flitet e si sillet opozita.
“Fitues absolut është Albin Kurti. Ai ka arritur me imponu narrativën e vet, saqë edhe opozita po flet me fjalorin e tij. Çdo temë e rëndësishme po zhvillohet brenda agjendës së tij politike”, tha Ahmeti.
Ahmeti theksoi se partitë opozitare – LDK, PDK dhe AAK – po veprojnë me kujdes të tepruar nga frika se çdo bashkëpunim mes tyre mund të interpretohet si një kthim i “koalicionit PAN” të vitit 2017, të cilin Vetëvendosje e ka përdorur si armë retorike.
“Opozita po pi narrativën e Vetëvendosjes. Kanë frikë me u taku publikisht, sepse menjëherë del narrativi që u bënë të gjithë bashkë. Nuk mund të bësh politikë duke u frikësuar nga fjalët e kundërshtarit”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, ky vetëcensurim i opozitës po e mban në lojë Vetëvendosjen edhe në momente kur ajo është nën presion institucional.
“Nëse ke frikë nga narrativi i Kurtit, s’je për politikë. Politika është veprim dhe bindje, jo kalkulim për çdo fjalë që mund të keqinterpretohet”, u shpreh Ahmeti.
Ahmeti e kritikoi opozitën për mungesë iniciative dhe për faktin që nuk po arrin të paraqesë një alternativë të besueshme ndaj qeverisjes aktuale.
“Nëse beson në diçka, duhet të veprosh edhe kur është jopopullore. Nuk mund të rrish në politikë veç për të ruajtur votat ose për të mos u dukur keq. Politika kërkon guxim – dhe opozita aktuale po e humb këtë element”, tha ai.
Ai shtoi se LDK dhe PDK po e kufizojnë veten nga frika e reagimit publik, në vend që ta shfrytëzojnë hapësirën për të ndërtuar një program të qartë politik që sfidon qeverinë.
“LDK-ja s’ka pse bartë fajet e së kaluarës, sepse ka ndërruar lidershipin. E megjithatë, sillen sikur ende po kërkojnë falje për PAN-in. Kjo e mban Vetëvendosjen në avantazh”, tha Ahmeti.
Në përmbyllje, Ahmeti theksoi se debati politik në Kosovë është reduktuar në luftë narrativesh, ku perceptimi publik ka më shumë peshë se politika reale.
“Kjo është arsyeja pse Vetëvendosja mbetet dominuese në komunikim – e ka shndërruar politikën në kontroll të diskursit publik. Fituesi nuk është ai që qeveris më mirë, por ai që i bën të tjerët të flasin me gjuhën e tij”, përfundoi Ahmeti.