Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i akuzuar për mosdeklarim të saktë të pasurisë në vlerë prej 172 mijë e 600 euro.
Ahmeti u deklarua i pafajshëm, duke thënë se paratë në fjalë ishin ndihmë financiare nga familjarët e tij për periudhën 2018-2022, kur bashkëshortja e tij ishte e papunë. Ai theksoi se nuk kishte pasur qëllim t’i fshihte, por nuk i kishte deklaruar pasi nuk kishte menduar se ishte i obliguar ta bënte këtë.
Ish-kryetari i Prishtinës tha gjithashtu se gjatë mandatit të tij i ishte nënshtruar disa herë kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe se asnjëherë nuk kishte marrë vërejtje apo kërkesë për korrigjimin e deklarimeve.
Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale argumentoi se provat dëshmojnë se Ahmeti nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme dhe mjete financiare në vlerë totale prej 172 mijë e 600 eurosh, duke kërkuar që ai të shpallet fajtor.
Prokurori i rastit propozoi dënimin e Ahmetit me një vit e gjashtë muaj burgim, 5 mijë euro gjobë, si dhe konfiskimin e shumës së padeklaruar ose të një pasurie me vlerë të barasvlefshme.
Mbrojtja kundërshtoi aktakuzën, duke argumentuar se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale dhe se, në rastin më të keq, veprimet e Ahmetit mund të konsiderohen vetëm kundërvajtje. Avokati i tij kërkoi lirimin nga akuza.
Shpend Ahmeti akuzohet se, gjatë periudhës 2018–2022, nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme dhe mjete financiare në vlerë totale prej 172 mijë e 600 eurosh, duke u ngarkuar me veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.