Vendimi i Gjykatës Supreme për ta shpallur të paligjshëm Udhëzuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë ka nxjerrë në pah mangësi serioze profesionale dhe institucionale në menaxhimin e sektorit energjetik nga ZRRE dhe Qeveria e Kosovës.
Sipas vlerësimit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ky vendim tregon qartë se rregullatori ka funksionuar për vite me akte nënligjore të paqëndrueshme, të cilat nuk kanë qenë të harmonizuara me standardet evropiane dhe janë hartuar pa analizë të ndikimit ekonomik. Kjo, sipas tyre, ka krijuar pasiguri juridike, ka çuar në përplasje me legjislacionin ekzistues dhe ka sjellë konfuzion te bizneset dhe konsumatorët për sa i përket kalimit në tregun e lirë të energjisë.
AKB thekson se ZRRE ka dështuar në misionin e saj kryesor – mbrojtjen e interesit publik. Në vend të një qasjeje profesionale dhe transparente, organizata thotë se ka dominuar vendimmarrja e dobët dhe mungesa e kontrollit efektiv, duke lënë pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin e tregut energjetik.
Sipas AKB-së, përgjegjësi mban edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka lejuar zbatimin e akteve që tashmë janë konsideruar të paligjshme dhe ka munguar në mbikëqyrje substanciale të procesit. Organizata vlerëson se kjo qasje ka cenuar besueshmërinë e institucioneve dhe ka krijuar rreziqe për funksionimin e sektorit energjetik.
“Ky është një sinjal alarmi. Kërkojmë përgjegjësi të menjëhershme, rishikim të plotë të politikave energjetike dhe përfshirje të domosdoshme të komunitetit të biznesit në çdo proces rregullator. Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione që gabojnë në dokumentet themelore ligjore dhe që më pas korrigjohen nga gjykatat”, deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
AKB thotë se ky vendim duhet të shërbejë si moment kritik për riformësimin e qasjes rregullatore dhe për të siguruar standarde të qarta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme në sektorin energjetik.