AKR pezullohet si parti politike, ka 45 ditë afat për të mbajtur kuvendin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim për pezullimin e partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR), për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afateve të parapara ligjore.

Këtë vendim, KQZ thotë se e  mori duke u mbështetur në Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas të cilit, partia e regjistruar politike mban kuvendin zgjedhor brenda 6 muajve nga data e regjistrimit dhe pastaj së paku çdo 48 muaj.

Partia politike Aleanca Kosova e Re, e regjistruar në KQZ në vitin 2007, ka qenë e obliguar që deri më 25 shkurt 2026 të mbajë kuvendin zgjedhor të radhës, transmeton Klankosova.tv.

Më 4 dhe 24 shkurt 2026, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) ka njoftuar këtë subjekt politik për obligim ligjor, por pavarësisht këtyre njoftimeve, nuk janë ndërmarrë veprimet për përmbushjen e këtij obligimi ligjor.

Andaj, duke u mbështetur në këtë, KQZ mori vendim për pezullimin e partisë politike, Aleanca Kosova e Re dhe ta obligojë atë, që në një afat shtesë prej 45 ditësh, ta mbajë konventën/kuvendin e saj.

Në rast të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor as pas këtij afati, KQZ thotë se do ta çregjistrojë këtë parti politke nga regjistri i partive politike në Kosovë.