Katër persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të mërkurën pasdite në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se aksidenti është raportuar rreth orës 16:30 dhe në të janë përfshirë dy automjete.
“Me datën 13.08.2025 rreth orës 16:30, kemi pranuar informacion për një aksident trafiku në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit. Në këtë aksident të përfshira kanë qenë dy automjete, ku përpos dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar katër persona. Të njëjtit janë dërguar në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku janë duke pranuar tretman mjekësor”, tha Osmani.
Policia ka njoftuar se rrethanat e aksidentit po hetohen nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan.