Alarm për bombë, policia rrethon Rektoratin e UP-së

Policia e Kosovës ka rrethuar objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës pasi në adresën elektronike të këtij institucioni ka ardhur një e-mail me përmbajtje kërcënuese.

“Kemi pranuar një e-mail anonim në adresë të rektoratit për një bombë”, ka deklaruar rektori i UP-së, Naser Sahiti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për Telegrafin se në bazë të informacioneve të para, bëhet fjalë për kanosje të dyshimtë që ka ardhur përmes postës elektronike.

“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka deklaruar Borovci.

Në vend të ngjarjes pos njesisë së deminimit është dërguar edhe njësia K-9 (njësia manovruese me qen të stërvitur).