Albin Kurti e shkarkon Agim Veliun, thotë se përhapi panik mbrëmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shkarkuar sot ministrin e punëve të brendshme, Agim Veliun.

Kjo sipas Kurtit, pas deklaratave që Ministri Veliu i kishte bërë mbrëmë, për të cilat nga qeveria thonë se përhapin panik te qytetarët.

“Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime.

Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, shkruhet në njoftim për media.

Ndërkohë, deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla.