Aliu: Vazhdon projekti i autostradës Prishtinë-Pejë, ndalet vetëm keqpërdorimi i parasë publike në shpronësime

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës Liburn Aliu ka thënë se Autostrada Prishtinë-Pejë do të vazhdojë, por se do të ndalen keqpërdorimet rreth shpronësimeve në këtë projekt.

Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka treguar se është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim.

“Projekti i autostradës për Pejë nuk ndalet. Ndalet vetëm hajnia dhe keqpërdorimet e parasë publike në shpronësim. Pra, është anuluar vetëm shpronësimi abuziv i cili kthehet në rivlerësim. Nuk është ndaluar projekti. Po ashtu, në vitin që vjen, është përfshirë në buxhet hartimi i projektit për modernizimin e hekurudhës, Pejë – Prishtinë dhe Klinë – Prizren. Rruga Prizren-Tetovë nuk është konkurente e rrugës Prishtinë-Pejë”, ka shkruar Aliu.

“Na duhen të dyja dhe do të bëhen të dyja, por pa vjedhje dhe keqpërdorime fondesh. Në emër të asfaltit nuk do të vjedhë më askush, dhe çdo vjedhje që evidentojmë edhe nga projektet e kaluara, do ta ndjekim me seriozitetin maksimal duke e dërguar çështjen në prokurori. Kosova do të ketë njëkohësisht infrastrukturë moderne, dhe mirëadministrim të buxhetit për rrugët”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka marr vendim se janë anuluar shpronësimet e pronave të cilat prekën nga realizimi i autostradës Prishtinë-Pejë.

Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se raporti i auditorit ka gjetur shkelje të shumta në vendim.

Qeveria në reagimin e bërë për media theksoi se bëhet fjalë për shpërputhjen prej mbi 12 milionë eurove.

Në vitin 2019, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e kësaj autostrade.