Analistët thonë se nuk ishte në interes të partive të mëdha lidhja e koalicioneve

Partitë politike po futen në zgjedhje pa koalicione parazgjedhore. Njohësit e çështjeve politike po thonë se rezultatet e pritshme në zgjedhje kanë pamundësuar koalicionet parazgjedhore.

Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale thotë nuk ka qenë interes i partive të mëdha të fuqizohen ato më të vogla.

“Një nga arsyet kryesore sipas meje është se rezultatet se kush do t’i fitojë zgjedhjet tashmë janë të ditura. Në këtë rast partitë më të mëdha janë orientuar drejt subjektivitetit të tyre dhe nuk kanë dashur të forcojnë partitë e vogla”, tha ai për RTV Dukagjinin.

Edhe politologu Avdi Smajlaj thotë se vetëbesimi i partive të mëdha politike ka pamundësuar koalicionet parazgjedhore.

“Ajo që duket se është e përbashkët e të gjitha partive pse nuk janë futur në koalicione është një lloj parashikimi se si do të jenë rezultatet e zgjedhjeve. Në këtë rast është një parti që duket se do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet, ku të njëjtës nuk do t’i hynin shumë në punë koalicionet”, tha ai.

Këto janë zgjedhjet e vetme që partitë politike kanë vendosur të futen të vetme në zgjedhje.