Anulohet falja e namazit të Xhumasë në Shqipëri, shkak koronavirusi

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë me dije se falja e namazit të Xhumasë do të anulohet për shkak të situatës në vend.

Në lidhje me këtë gjë ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka falënderuar KMSH-në.

KMSH-ja, në statusin në Facebook, ka thënë se feja Islame i jep rëndësi të madhe shenjtërisë së jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj dhe shton se në rastet e shpërthimit të epidemive, Profeti Muhamed (a.s.) na urdhëron që: “Nëse dëgjoni se diku ka rënë epidemi, mos shkoni në atë vend! Nëse godet në një vend dhe ju ndodheni aty, mos u largoni që andej për t’i shpëtuar!”.

“Pra, karantinimi dhe evitimi i të gjitha lëvizjeve të panevojshme është masa paraprake që duhet të merret në të tilla raste”, thotë KMSH-ja.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke vlerësuar situatën e paprecedentë të krijuar nga kjo epidemi, ka marrë disa masa të nevojshme për të mbrojtur qytetarët nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.

KMSH kërkon nga myftinitë e qyteteve marrjen e masave të mëposhtme:

1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.

2- Anulimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anulohet edhe falja e namazit të xhumasë.

3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.

4- Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kërkuar mirëkuptimin e besimtarëve në respektimin e masave të marra, pasi “mbrojtja e jetës dhe shëndetit është një obligim fetar për të gjithë besimtarët”.

“Pasi të marrim të gjitha masat e nevojshme, t’i lutemi Zotit me lutjen e Profetit Muhamed (a.s.): ‘O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija’. Lusim Zotin e Gjithmëshirshëm që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë”, ka përfunduar njoftimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Ndërkaq, kryeministri Rama, ka falënderuar Komunitetin në fjalë për vendimin e marrë, duke thënë: “Respekt, respekt, respekt për Komunitetin Mysliman që vendosi anulimin e faljes së namazit dhe të çdo tubimi nëpër xhami”.

“Ky është jo vetëm vendimi i duhur në kohën e duhur, por edhe mesazhi më kuptimplotë që komuniteti mysliman mund t’i jepte mbarë popullit shqiptar”, potencoi Rama.