Anulohet konferenca e Trendafilovës pas protestës së veteranëve

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë.

Një grup veteranësh së bashku me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar një konferencë e Trendafilovës, e cila u anulua pas protestës.

Udhëheqësi i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se Trendafilova nuk është e mirëseardhur në Kosovë.

“Sa herë vjen në Kosovë, kjo vjen për një të keqe. Unë mendoj se kjo ka ardhur vetëm ta destabilizojë Kosovën”, deklaroi Gucati.

Me anulimin e konferencës, Gucati tha se u arrit qëllimi i veteranëve.

Pas anulimit të konferencës, Dhomat e Specializuara thanë për REL-in se do t’i drejtohen opinionit publik përmes një komunikate për media.

Gjatë protestës, veteranët hodhën tym të zi para hyrjes së hotelit.

Në një reagim të përbashkët, organizatat e dala nga lufta paraprakisht thanë se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara në Prishtinë është e papranueshme dhe përbën fyerje për qytetarët e Kosovës.

Ata deklaruan se vizita e saj nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe transparencën, duke theksuar se gjykata ka një qasje arrogante dhe nuk i shërben drejtësisë.

Trendafilova ka mbajtur konferenca dhe ka qëndruar edhe më parë në Prishtinë.

SHIKONI EDHE:

ZPS-ja përmbyll paraqitjen e provave kundër ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Ky institucion i Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deri më tani, kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë.