Apeli refuzon ankesën e Nagip Krasniqit, s’mund t’i afrohet KEK-ut ose dëshmitarëve

Kryeshefi i pezulluar i KEK, Nagip Krasniqi, nuk do të lejohet t’i afrohet Korporatës Energjetike të Kosovës apo dëshmitarëve të rastit, deri në një vendim tjetër të gjykatës. Ankesa e bërë nga avokati i tij në Gjykatën e Apelit kundër vendimit për vazhdimin e kësaj mase, është refuzuar. Avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, thotë se Prokuroria nuk ka prova për të dëshmuar se Krasniqi ka kryer vepër penale.

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit të Nagip Krasniqit kundër vendimit për vazhdimin e masës që i ndalon t’u afrohet dëshmitarëve të rastit. Rrjedhimisht, Krasniqi nuk guxon të afrohet te Korporata Energjetike e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar vetë avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga. Ai për gazeta Express ka thënë se Apeli nuk i ka shqyrtuar pretendimet ankimore fare.

“Apeli e ka refuzuar ankesën kundër vendimit për masën e ndalimit te afrimit te vendit te punës. Gjykata e apelit nuk i ka shqyrtuar asnjë pretendim ankimor, por vetëm e ka kopjuar dhe vendosur arsyetimin e prokurorisë. Gjykatat ne Kosovë, me automatizëm aprovojnë kërkesat e prokurorisë për masa, që nuk ndodhë në asnjë vend tjetër te rajonit. Kjo qasje është kritikuar edhe nga raporti i monitorimit OSBE i Tetorit 2023”, ka thënë ai.