Apple lanson një iPhone të ri, më të lirin ndonjëherë

Kompania “Apple Inc” të mërkurën lansoi një iPhone më të vogël me çmim prej 399 dollarësh, duke ulur kështu çmimin e linjës së smartfonëve të kësaj kompanie në masë të madhe si përpjekje për të zgjeruar shtrirjen edhe tek konsumatorët me të ardhura më të ulëta në kohën kur ekonomia po pëson rënie si pasojë e koronavirusit.

Modeli i ri, iPhone SE, që do të dalë në treg më 24 prill, është gjenerata e dytë e modelit të mëhershme më të lirë. Ky model do të nis me çmim 50 dollarë më të lirë sesa iPhone i mëhershëm më i lirë i kompanisë, iPhone 8 që startin e kishte 449 dollarë, e i cili në të njëjtën kohë do të pensionohet, raporton Reuters.

Image

Me 399 dollarë, ju mund të merrni modelin e zhbllokuar me 64GB. Mund të porosisni edhe modelet me hapësirë më të madhe, 128GB dhe 256GB me çmim prej 449 respektivisht 549 dollarësh.

SE vjen me një ekran 4.7-inch por me procesor të njëjtë sikurse telefoni më i avancuar i kompanisë, 11 Pro. SE-së i mungon teknologjia 5G dhe sistemi i detektimit të fytyrës për të hapur pajisjen, dhe në vend të saj ka sensorin e gishtërinjve të ngjashëm me modelet më të vjetra, transmeton KOHA.

Lajmi erdhi në kohën kur SHBA-ja dhe pjesa më e madhe e botës po tenton të rikuperohet nga koronavirusi i ri, ndonëse liderët politikë në SHBA kanë nisur bisedar për t’i dhënë fund rregullave për qëndrim në shtëpi dhe të rinisin ekonominë, me shpresën se shifrat e vdekjeve nga koronavirusi, dhe rastet e infektimeve, kanë arritur pikun.

Telefoni më i lirë i Apples pasqyron rënien ekonomike dhe humbjen e vendeve të punës si pasojë e koronavirusit.

Image

Edhe pse telefoni i ri i Apples vjen me veçori si rimbushja pa tela e baterisë dhe kamera e avancuar, atij i mundon teknologjia për lidhje në rrjetin 5G. Në Kinë, kompani rivale si “Xiaomi Corp”, muajin e kaluar paralajmëruan modelet me veçorinë 5G me çmim fillestar prej 425 dollarësh.

Apple do të nis shitjen e modelit të ri online në kohën kur dyqanet e veta në mbarë botën mbesin të mbyllura, përpos në Kinë. Kompania do të nis me pranimin e porosive për këtë telefon të premten, ndërsa shpërndarja e pajisjeve pritet të nis më 24 prill.