Armend Muja kurrë nuk është shpallur i pafajshëm, prokurori ka pritur t’i parashkruhej lënda – ja për çka akuzohej

Armend Muja kishte arritur të shpëtonte nga një proces i gjatë gjyqësor i cili nuk kishte përfunduar si zakonisht. Në janar të vitit 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuzat atë dhe disa bashkëpunëtorë të tij, pa ndonjë aktgjykim të formës së prerë, ku i akuzuari shpallet fajtor ose i pafajshëm. Prokurori i rastit, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga këto pika për shkak të parashkrimit absolut (vjetërsimit) të lëndës, pasi kjo ishte arritur në bazë të Kodit Penal.

Rreth dy vjet pasi përfundoi një proces gjyqësor ndaj Armend Mujës, ku ai gjykohej për vepra të korrupsionit, analisti i njohur ka vendosur t’i futet politikës duke ju bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj-Musliu kishte shpallur aktgjykim refuzues për Mujën dhe disa ish-zyrtarë tjerë të Agjencisë Kosovare për Akreditim lidhur me disa pika të aktakuzës që përfshinin veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje të vazhdueshme të ryshfetit nga Muja dhe ish-zyrtarët tjerë të AKA-së për akreditimin e programeve të ndryshme të shumë prej kolegjeve vendore.

Paraprakisht, prokurori Naim Abazi në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga këto pika për shkak të parashkrimit absolut (vjetërsimi i lëndës), pasi kjo ishte arritur në bazë të Kodit Penal.

Aktakuzën e kishte përpiluar prokurori Suad Kuraja, më pas e kishte përfaqësuar prokurori Abdurrahim Islami, pas daljes së të cilit në pension, aktin akuzues e kishte përfaqësuar prokurori special, Naim Abazi.

Gjatë procesit gjyqësor, ish-drejtori i kolegjit “ISPE”, Avni Mazreku, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit special, Naim Abazi nga gjykimi. Ai kishte deklaruar në seancë gjyqësore se në një rast tjetër ku kishin qenë palë ai dhe Agjencia Kosovare për Akreditim, prokurori Abazi kishte qenë i angazhuar si prokuror dhe ishte përjashtuar nga ai rast me kërkesë të tij, për shkak të njohjeve që mund t’i ketë pasur me të akuzuarit.

Për çfarë akuzohej Armend Muja?

Armend Muj akuzohej se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët e kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke shkelur rëndë atë. Sipas aktakuzës, Muja dhe ish-zyrtarë tjerë të Agjencisë Kosovare për Akreditim me të cilët thuhet se kishte raporte të afërta dhe familjare takoheshin me përfaqësues të kolegjeve private duke u kërkuar atyre ryshfet për t’i akredituar.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngarkonte Armend Mujën dhe ish-zyrtarët tjerë të Agjencisë Kosovare për Akreditim me dyshimet për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se ia kishin marrë 2,500.00 euro kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve.

Aktakuza ishte përpiluar mbi dëshmitë e disa përfaqësuesve të kolegjeve që kërkonin akreditim në agjencinë ku Muja punonte me të afërm e bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas aktakuzës, Basri Muja, djali i agjës së Armend Mujës i kishte thënë pronarit të kolegjit “Biomedica”, Driton Ajetit se nuk e kishte përpiluar mirë aplikimin për akreditim në vitin 2010, duke ia imponuar që ta merrte Armend Mujën si ekspert të arsimit, e të cilit, gjithnjë sipas aktakuzës, ai kishte qenë i detyruar t’ia jepte 5 mijë euro.

“Basriu i ka thënë Dritonit se nuk e ka përpiluar mirë aplikim duke i thënë që ta gjejmë një ekspert të arsimit, me ç’rast ia ka imponuar, e pastaj  ka thirr në zyrën e tij Armendin, i cili është djali i axhës së Basriut, kurse Dritoni ka qenë i detyruar të pranoj diçka të tillë, për ndryshe Basriu nuk do të pranonte dokumentet në fjalë. Me këtë rast Basriu dhe Ferdije i kanë thënë Dritonit që t’ia jep Armendit 10.000,00 euro për përmirësimin e kërkesës në fjalë, pastaj në fund Dritoni ka qenë i detyruar që Armendit  ti jep 5.000,00 euro në restorantin “Korner”, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

Prokuroria e akuzonte Mujën se në po të njëjtin vit ia kishte kërkuar 20 mijë euro pronarit të kolegjit “Universum”, Alejtin Berishës, për akreditimin e disa programeve. Muja kishte qenë ligjërues në lëndën “Metodat hulumtuese në biznes” në këtë kolegj.

“Të pandehurit Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Armend Muja, si persona zyrtar kanë kërkuar për vete përfitim për të kryer në kuadër të autorizimeve të tyre një veprim zyrtar të cilën ata është dashur ta kryejnë, kështu që në fillim të vitit 2010 i dëmtuari Alejtin Berisha sipas kërkesës së të pandehurit Armend, e ka takuar atë në kafiterin “Inbox”, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, me ç’rast Armendi i ka kërkuar 20.000,00 euro për të pandehurit Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe një person tani për tani N.N., për akreditimin e programeve për Kolegjin “Universum”, kurse në fund të muajit shkurt të vitit 2010 në një kafiteri në lagjen “Pejton” në Prishtinë, i pandehuri Armend për akreditimin e programeve për Kolegjin “Universum” ka kërkuar nga i dëmtuari Suat Berisha përfitim në të holla prej 20.000,00 euro për Basriun dhe Ferdijen, ndërsa pas një jave në takimin në kafiterin “Inbox”, Armendi nga Suati ka kërkuar përfitim prej 15.000,00 euro për Basriun, Ferdijen dhe veten”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, Prokuroria pretendon se Muja me këtë rast ishte marrë vesh me një bashkëpunëtor të këtij kolegji që t’ia jepnin 5 mijë euro për ta mundësuar akreditimin, por që sipas aktakuzës, një javë më vonë Muja dyshohej se kishte kërkuar para edhe për bashkëpunëtorët e tij dhe se këto kërkesa i kishte përsëritur deri kur e kishte ndërprerë punën në “Universum”

“Kështu që pas konsultimit me Sedat Berishën, i cili është bashkëpronar i Kolegjit “Universum”, janë marrë vesh që Armendit t’ia japin 5.000,00 euro për mbrojtjen e programeve në procesin e akreditimit, dhe pas një jave në të njëjtën kafiteri, pasi që Armendi ka insistuar që i dëmtuari të iu jep të pandehurve 15.000,00 euro, ndërsa i dëmtuari Suat i ka thënë “na mundemi ty me ti dhanë 5.000,00 euro për mbrojtjen e programeve në procesin e akreditimit,  ndërsa nuk mundemi mi dhanë 10.000,00 euro për Ferdijen dhe Basriun”, kurse Armendi i ka thënë “mosni se keni me gabuar dhe keni me ja pa sherrin kësaj pune”, duke përsëritur këto kërkesa shpesh here edhe Sedatit dhe Alejtin Berishës deri sa ka ndërpre punën në kolegjin “Universum” më 15.04.2011”, thuhet në aktakuzë.

Sipas një dëshmitari, dëshmia e të cilit qe pjesë e aktakuzës kundër Mujës dhe të tjerëve, “Universumi” ia kishte parë sherrin mospërfilljes së kërkesës së Armend Mujës për dhënien e ryshfetit, pasi programet e këtij kolegji s’ishin akredituar.

“Nga dëshmia e dëshmitarit Sedat Berisha të datës 31.03.2015, rezulton se as Basri Muja, Ferdije Zhushi dhe as Armend Muja prej këtij dëshmitari nuk kanë kërkuar ryshfet. Mirëpo prej vëllait të tij Suatit dhe Alejtinit, ka kuptuar se Armendi në emër të ryshfetit ka kërkuar fillimisht 20.000,00 euro për akreditim të programeve. Pastaj ka kërkuar 15.000,00 euro për Basriun, Ferdijen dhe për vete. Këto të holla Armendi ka kërkuar në fillim të vitit 2010. Sedati në këto takime nuk ka marr pjesë. Mirëpo një herëte kafiteria “Inbox”, deri sa ka qenë duke u largu Armendi nga tavolina , Sedati është afruar te ata dhe e ka pyet Suatin se çka ka ndodh. Ai i ka thënë se “po thotë Armendi për mos përmbushje të kësaj vlere keni me ja pa sherrin si familje dhe si institucion”.Më vonë Suati dhe Sedati janë marr veshë që Armendit, pasi që ka punuar në Kolegjin e tyre, me ia jep 5.000,00 euro për mbrojtje të programeve në procesin e akreditimit dhe ashtu kanë vepruar. Pasi që kanë refuzuar ryshfetin, Basri Muja dhe Ferdije Zhushi gjithmonë i kanë refuzuar programet që kanë kërkuar, përkundër që kanë qenë profesionalisht të përpiluar, me staf të përgatitur, me departament shtesë, në kuadër të departamenteve me resurse njerëzore profesionale, akademike, me marrëveshje shtesë, me mësimdhënës tjerë të kualifikuar për ato programe që kanë kërkuar”, thuhet në aktakuzë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka organizuar pritje të veçantë për Mujën në seli të partisë së tij, me rastin e anëtarësimit të analistit politik në këtë parti.

Me Mujën, të cilin Kurti tha se e njeh moti, u shpreh se mezi pret që të punojnë së bashku në LVV.

“Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme. Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje”, ka shkruar Kurti. /Express/