Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook se është përfshirë në një përleshje fizike në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, gjatë një interviste publike.
Zemaj ka thënë se situata ndodhi pas një provokimi verbal nga një qytetar, ndërsa reagimin e tij e ka cilësuar si një veprim në afekt dhe të paqëllimshëm.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.
Deputeti ka pranuar se duhej të ruante qetësinë dhe dinjitetin, pavarësisht provokimit, duke shtuar se dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje.
“Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk më ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, ka theksuar ai.
Në fund, Zemaj u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve, duke thënë se rasti duhet t’i shërbejë si mësim për më shumë durim në të ardhmen.
“Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo. E imja është të mos reagoj me emocione. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin.”