Arrestohet babi që vrau djalin në Peran të Podujevës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen në Peran të Podujevës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se vrasje në Peran ka ndodhur të hënën në orën 17:55.

“Fsh. Peran, Podujevë 13.06.2022-17:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.

Vrasja në Peran të Podujevës: Katër gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes, bastisje u krye edhe në një fshat tjetër

Më vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari në mbajtje.

Ndryshe, një person ka mbetur i vdekur të hënën në orën 17:55 në fshatin Peran të Podujevës, pasi është qëlluar me armë.

Rasti ka ndodhur brenda familjes, ku dyshohet se babai ka vrarë djalin e tij për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth pronës.

Dyshimet e para janë se viktima (djali) ka marrë për të punuar tokën e një fqinji të tij, me të cilin dorasi i dyshuar (babai), ka pasur më parë një konflikt. Megjithatë, zyrtarisht ende nuk është sqaruar se cili ka qenë motivi që dyshohet se shtyu prindin të shkrepë armën mbi djalin e tij.

Vritet një person në Peran të Podujevës

Sidoqoftë, vrasja ka ndodhur në një arë, që ndodhet afër shtëpisë së tyre, në lagjen “Ismajli” në fshatin Bajqinë. Këtë fshat dhe fshatin tjetër, Peran, i ndanë vetëm rruga.

Lidhur me këtë rast tragjik ka reaguar edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rasti i vrasjes në Peran të Podujevës na ka tronditur të gjithëve. Duke u lutur që të jetë i fundit ky rast i vrasjes, ngushëllime familjes dhe miqve!”, ka shkruar Bulliqi.