Arrestohet Henri Çili, dyshohet se ka paguar gjyqtarë për të liruar bandën e Lazarat

Është arrestuar nga policia gazetari dhe botuesi i njohur, njëherësh edhe pronar i Universitetit Evropian të Tiranës (UET),  në Tiranë, Henri Çili. Ndalimi i tij, është bërë nga policia e Tiranës gjatë mesnatës për llogari të policisë së Gjirokastrës.

Fillimisht ai është transportuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë se bashku me avokatin e tij Ilir Korbi dhe pas është transferuar në Gjirokastër ku po mbahet në dhomat e izolimit në policinë vendore të këtij qyteti.

Gjatë natës janë kryer kërkime tek shtëpia dhe bizneset e tij. Urdhër-arrestet janë lëshuar nga prokuroria e Gjirokastrës, e cila kishte nisur hetimet që prej shtatorit të 2019.

Botuesi është kapur në përgjimet e prokurorisë dhe akuzohet për korrupsion pasiv dhe aktiv në drejtësi.

Dyshohet se Çili paguante gjyqtarë për të nxjerrë nga burgu bandën e Lazaratit.

Operacioni është në vijim dhe në përfundim të tij pritet të ketë dhe informacion zyrtar nga policia, ndërsa numri i të shoqëruarve nën cilësinë e personave që dyshohen për ushtrim të paligjshëm të gjyqtarëve dhe personave që kanë dijeni për këtë vepër penale është rreth 40. /OraNews/