Arrestohet një zyrtar policor

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se një zyrtar policor është dërguar në mbajtje për 48 orë, i dyshuar për veprën penale “Marrje të ryshfetit”.

Sipas njoftimit të IPK, më 29 prill 2022, përmes rrugëve operative është informuar lidhur me një rast ku dyshohet se një zyrtar policor me datën 28.04.2022 në udhëkryqin e rrugës Lidhja e Prizrenit afër udhëkryqit me rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, gjersa ishte duke u marrë me një aksident trafiku kishte kërkuar ryshfet shumën prej 50 euro nga një i qytetar që të ia kthente librezën e qarkullimit, e ku i dyshuari zyrtari policor me datën 28.04.2022, rreth orës 23:00, para Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ia dorëzon të dyshuarit (qytetarit) në kundër vlerë prej 50 eurove librezën e qarkullimit.

“Mbi bazën e gjitha këtyre dyshimeve, është informuar prokurori kujdestar I Prokurorisë Themelore te Prishtinës dhe me autorizim te tij janë ndërmarr veprime tjera të nevojshme lidhur me zbardhjen e rrethanave të rastit, intervistimin e personave të involvuar në këtë çështje dhe me udhëzim të prokurorit kujdestar, zyrtari policor është dërguar në mbajtje për 48 ore me dyshimin për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa qytetari I dyshuar për veprën penale “Dhënie e ryshfetit” është proceduar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, hetuesit e IPK-së me datën 30.04.2022, kanë dorëzuar Kallëzimin penal pranë Prokurorisë Themelore -Prishtinë ndaj zyrtarit policor për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe qytetarit për veprën penale “Dhënie e ryshfetit”.