Në rrjetin social TikTok, një përdoruese me emrin “impamibaby”, ka marrë vëmendje të madhe duke ndarë receta mëngjesi të pasura me fibra, si fara chia, manaferra dhe dredhëza, që, sipas saj, e kanë shpëtuar nga fryrja e barkut.
Kjo praktikë quhet #fibermaxxing, pra konsumimi i ushqimeve që ndihmojnë në arritjen apo tejkalimin e dozës së rekomanduar ditore të fibrave për ta përmirësuar shëndetin e zorrëve, për të humbur peshë dhe më shumë. Videot me këtë hashtag kanë miliona shikime, ku shpesh shfaqen receta me përmbajtje të lartë fibrash, të shoqëruara me shpjegime për përfitimet e tyre shëndetësore, ka shkruar CNN.
Megjithëse TikTok është bërë burim i trendeve të dyshimta në ushqim, ndonjëherë vjen edhe me ide të vlefshme.
“Shumica e amerikanëve nuk marrin mjaftueshëm fibra përmes ushqimit, dhe ky është problem”, ka thënë dietologia Lauren Manaker.
Udhëzimet ushqimore për amerikanët rekomandojnë 22–34 gramë fibra në ditë, varësisht nga mosha dhe gjinia. Por, mbi 90 për qind e grave dhe 97 për qind e burrave nuk e arrijnë këtë nivel.
“Qoftë duke shtuar fara chia në gjithçka, duke futur më shumë perime në vakte apo duke mësuar ta duash grurin e plotë, ‘fibermaxxing’ mund të jetë trendi që na është dashur prej kohësh”, ka shtuar
Manaker, duke përmendur edhe lidhjen mes mungesës së fibrave dhe rritjes së rasteve me kancer të zorrës së trashë, veçanërisht te grupmoshat 20–54 vjeç.
“Fibrat janë ndër rekomandimet më të qëndrueshme në botën e ushqyerjes, një klasik që gjithmonë ka funksionuar”, ka thënë gastroenterologu Kyle Staller.
Ekzistojnë dy lloje fibrash:
Fibrat e tretshme (si ato që gjenden në mollë, banane, tërshërë, karota dhe fasule) krijojnë një masë xheli që ndihmon tretjen.
Fibrat e patretshme (si ato që gjenden në perime, drithëra të plota, arra dhe patate) ndihmojnë në lëvizjen e ushqimit në mënyrë të rregullt nëpër zorrë dhe formimin e jashtëqitjes.
“Ekuilibri i të dyjave është çelësi për shëndet të mirë. Nëse merrni shumë nga një lloj dhe pak nga tjetri, mund të përjetoni fryrje apo kapsllëk”, ka shpjeguar Manaker.
Përdoruesit e TikTokut që ndjekin trendin “fibermaxxing” shpesh përziejnë perime, fruta, fara dhe drithëra të plota, që përmbajnë të dyja llojet e fibrave. Por, përveç llojit, rëndësi ka edhe forma e ushqimit: nëse është i papërpunuar, i gatuar apo i grimcuar, sepse kjo ndikon në mënyrën se si fibra ndikon në tretje.
“Nuk keni pse t’i mbani shënim të gjitha këto në mënyrë obsesive. Mjafton të hani një shumëllojshmëri ushqimesh të freskëta ose minimalisht të përpunuara”, ka thënë Staller.
Përfitimet e shumta nga fibrat
“Kur fibrat shtojnë masën e jashtëqitjes, ato e reduktojnë kohën e qëndrimit të mbeturinave në zorrë. Plus, bakteret e mira në zorrë i fermentojnë fibrat dhe krijojnë acide yndyrore me zinxhir të shkurtër, që ndihmojnë në mbrojtjen nga kanceri dhe inflamacioni”, ka thënë dietologia Jennifer House.
Studime të reja sugjerojnë se edhe pacientët me kancer të zorrës së trashë kanë më shumë gjasa të mbijetojnë nëse rrisin konsumimin e fibrave.
Përveç kësaj, fibrat ndihmojnë në:
-uljen e rrezikut për diabet të tipit 2, sëmundje kardiovaskulare dhe kolesterol të lartë
-rregullimin e sheqerit në gjak duke ngadalësuar tretjen dhe përthithjen e sheqerit pas vakteve
-ndjenjën e ngopjes që mund të ndihmojë në kontrollin e peshës trupore
Disa përdorues të TikTokut pretendojnë se fibra ndihmon në “detoksifikimin” e trupit.
Ani se ky term shpesh shoqërohet me pseudoshkencë, dietologia House thotë se fibrat me të vërtetë ndihmojnë në nxjerrjen e toksinave përmes jashtëqitjes.
Disa ushqime me fibra, si perimet me gjethe jeshile dhe arrat, gjithashtu mbështesin shëndetin e mëlçisë, e cila është organ i rëndësishëm në procesin e detoksifikimit.
Po ashtu, hulumtimet tregojnë lidhje gjithnjë e më të forta mes shëndetit të zorrëve dhe shëndetit mendor. Dieta me fibra ndikon edhe në gjendjen mendore.
Staller ka këshilluar që njerëzit të mos kalojnë “nga zero në 60” me fibrat menjëherë.
“Nëse trupi juaj nuk është mësuar me fibra, shtimi i menjëhershëm mund të shkaktojë fryrje dhe shqetësime”, ka thënë Staller.
Rekomandohet të fillohet ngadalë duke shtuar pak manaferra në mëngjes, duke zëvendësuar bukën apo orizin e bardhë me versionin integral, duke ngrënë më shumë perime me çdo vakt, si dhe duke pirë më shumë ujë.
Nëse fibra nuk ka ujë për ta çuar në zorrë, ajo mund të shkaktojë kapsllëk dhe gazra.
“Suplementet me fibra, mund të ndihmojnë në raste të veçanta, por nuk duhet t’i zëvendësojnë ushqimet natyrale me fibra”, ka thënë Manaker.