Astrit Desku me numër 54, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, po e artikulon qartë një nga problemet më të ndjeshme të shoqërisë sonë: mungesën e një sistemi funksional digjital në arsim. Përmes një qasjeje reale dhe konkrete, ai rikujton sfidat që përballen çdo vit prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit në fillim të vitit shkollor – nga paqartësitë për librat dhe subvencionet, te radhët e gjata, dokumentet e panevojshme dhe mungesa e transparencës.
Desku thekson se këto probleme nuk janë pasojë e mungesës së përkushtimit të stafit shkollor, por rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së vullnetit politik për të ndërtuar një sistem digjital të unifikuar dhe funksional. Një sistem që do të garantonte transparencë, efikasitet dhe lehtësi për të gjithë aktorët e procesit arsimor.
Vizioni që ai prezanton është i qartë dhe i realizueshëm: regjistrim unik për nxënësit, ditarë elektronikë të sigurt, kalim automatik nga një cikël shkollor në tjetrin, informim në kohë reale për prindërit, si dhe përdorim të inteligjencës artificiale për mësim të personalizuar. Po ashtu, librat dhe materialet mësimore digjitale do të siguronin qasje të barabartë dhe përmbajtje të përditësuar për të gjithë nxënësit në Kosovë.
Mesazhi i Astrit Deskut është i drejtpërdrejtë: koha e pilot-projekteve ka përfunduar. Arsimi ka nevojë për vendimmarrje politike, llogaridhënie dhe vizion shtetëror afatgjatë. Ky është një qëndrim që reflekton përgjegjësi, dije dhe gatishmëri për ndryshim real.

Me ide konkrete dhe fokus në zgjidhje, Astrit Desku po pozicionohet si një zë serioz për reformimin e arsimit dhe ndërtimin e një Kosove moderne, funksionale dhe të orientuar drejt së ardhmes.