ATK-ja ka një njoftim shumë të rëndësishëm për ata që investojnë në kriptovaluta

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ua ka rikujtuar qytetarëve që investojnë në kriptovaluta se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, ATK’ja ka thënë se do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat.

“Për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor. Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor“, thuhet në njoftim.