Xhavit Haliti

Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas dorëheqjes së Lumir Abdixhikut nga kjo pozitë për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka njoftuar se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, e cila do të mbahet më 31 janar 2026, do të kërkojë besimin e delegatëve për ta udhëhequr partinë.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shprehur mirënjohje për lidershipin aktual dhe strukturat e partisë për angazhimin e tyre në pesë vitet e fundit, duke veçuar kontributin e anëtarësisë së LDK-së.

“Mirënjohja ime e thellë shkon, para së gjithash, për anëtarësinë besnike të LDK-së — shtyllën mbi të cilën kjo parti ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë”, ka theksuar ai.

Hoti ka deklaruar se kandidatura e tij vjen në një moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, duke u zotuar se do të marrë përgjegjësinë për ringritjen politike dhe organizative të partisë.

“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së”, ka shkruar Hoti.

Ai ka theksuar se synon ndërtimin e një LDK-je të hapur dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, duke vënë theks të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.

“Askush nuk do të mbetet në margjina. Do të ndërtojmë një LDK ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer partinë në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Në fund të postimit të tij, Hoti ka bërë thirrje për unitet dhe bashkim brenda LDK-së, duke nënvizuar rëndësinë e rikthimit të vlerave themeltare të partisë, si demokracia e brendshme, guximi politik dhe orientimi euro-atlantik.

“Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion”, ka përfunduar Hoti.