Avdyli: Mustafa është politikan i dështuar, shkatërroi gjithçka vetëm për t’u bërë president

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, e ka quajtur kryetarin e partisë pjesë e të cilës është, Isa Mustafën, politikan të dështuar.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Mustafa po mundohet të qëndrojë relevant duke sulmuar u.d. të presidentes, Vjosa Osmani me gënjeshtra, për të cilat thotë se janë pjellë e imagjinatës së tij.

“P.sh tani, ky President-në tentativë, paska thënë që Vjosa fol kot dhe troket në derë të hapur sa i përket dialogut. Nëse e dëgjon me vëmendje, Vjosa nuk e kërkon pezullimin e dialogut por unifikimin e qëndrimit të përbashkët të Kosovës para se të shkohet në Bruksel. Por, për Isa Mustafën rëndësi paska vetëm qëndrimi që e ka tani PDK-ja. Ai thotë se Vjosa e të tjerët flasin kot rreth temës së dialogut sepse ne duhet të shikojmë veç çka kërkon PDK”, ka thënë ai.

Avdyli ka thënë se ai po shkatërron gjithçka para vetës vetëm për t’u bërë president.

“Sa më vie keq të shoh se ku ka ra partia institucionaliste LDK, përderisa udhëhiqet nga dikush që çdo ditë sulmon dy institucionet kryesore në vend: Presidencën e Kuvendin, vetëm pse ato nuk po udhëhiqen nga njerëzit e Isës. Ky shkatërroi gjithçka që kishte përpara vetes gjatë tërë kohës vetëm për t’u bërë vet president (edhe koalicionin qeverisës, edhe partinë, e tash po tenton edhe vendin) i shtyrë nga ambicie të tij puro personale të pakontrolluara. Ka ardhur koha që të flasim hapur dhe të refuzojmë këtë mendësi karrieriste shkatërruese të tij: Edhe LDK, edhe partnerët e tjerë të koalicionit e mbi të gjitha ta refuzojnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.