Sunny Hill Festival

Kusari-Lila: Nuk kemi kërkesë zyrtare për shpërbërjen e Kuvendit

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se aktualisht nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për shpërbërje të Kuvendit.

Ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se ka kërkesë vetëm për debat për 3 vjet qeverisje, e cila pritet të trajtohet ditën e premte.

“Nuk ka kërkesë zyrtare për shpërbërje të Kuvendit, por vetëm për debat për 3 vite qeverisje”, tha ajo.

Kusari- Lila tha se asnjëherë nuk kanë thënë se frikësohen të shkojnë në zgjedhje, duke shtuar se është opozita ajo që kërkon mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ne asnjëherë nuk kemi thënë që kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfirmimi i mandatit te sovrani, por nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm  një grup parlamentar të opozitës. Nëse është një opozitë e bashkuar që kërkon shpërndarjen e Kuvendit, mund të dakordohemi për datën e përbashkët”, ka thënë ajo.

Shefja e deputetëve të LVV-së tutje bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë janë dakorduar për dy seanca gjatë kësaj jave.

Kusari-Lila tha se seanca e parë është caktuar për të enjten, ku do të jetë vazhdim i seancës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërkaq të premten do të mbahet seanca tjetër e rregullt ku do të nis me debat. /Telegrafi/