Xhavit Haliti

Bajrami kërkon dorëheqjen e Abdixhikut dhe jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së LDK-së

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se ky veprim buron nga standardet politike që vetë LDK-ja i ka ndërtuar dhe zbatuar ndër vite.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka njoftuar se në mbledhjen e djeshme të LDK-së ka kërkuar marrjen e përgjegjësisë për rezultatet e rënda zgjedhore, duke ofruar njëkohësisht edhe dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.

“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka shkruar Bajrami, duke theksuar se kush merr rezultate të dobëta zgjedhore duhet të hapë rrugë për zgjedhje të brendshme.

Ajo ka vlerësuar se përtej rezultatit zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti dhe një person i vetëm, duke shtuar se interesat personale dhe partiake nuk duhet të vendosen mbi interesin e shtetit.

Bajrami ka theksuar se LDK-ja ka qenë dhe mbetet mbrojtëse e shtetit, institucioneve, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, por sipas saj, kjo arrihet vetëm duke vendosur interesin e Kosovës mbi interesat partiake.

Sipas saj, pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme dhe procesi i vetëm që mund ta nxjerrë LDK-në nga situata aktuale.

Në fund, Bajrami ka falënderuar mbi 126 mijë qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe mbi 57 mijë votues që i kanë besuar asaj personalisht, duke konfirmuar se do të vazhdojë angazhimin politik si deputete në mandatin e saj të shtatë, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

“LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, ka përfunduar ajo.