Ballkani synon ta mbyllë fazën e grupeve me rezultat pozitiv

Te Ballkani nuk kanë synim për ta kaluar grupin në Ligën e Konferencës për shkak se tashmë është eliminuar nga kjo garë, por synojnë që fazën e grupeve ta mbyllin më mënyrën më të mirë të mundshme, me fitore. Ekipi nga Suhareka të enjten, prej orës 18:45, luan ndeshjen e fundit në grup. Përballet në udhëtim me Clujin, ekip që me fitore do të avancojë tutje.

Kampioni i Kosovës zë vendin e fundit në grup me katër pikë të mbledhura pas pesë ndeshjeve të luajtura. Cluji është i dyti me shtatë pikë, sa i ka edhe Slavia e Pragës në pozitën e tretë, ndërsa Sivasspori është kualifikuar tutje si lider me dhjetë pikë. Në duelin e parë Ballkani pati barazuar 1:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Clujit. E për rezultat pozitiv do të dalë në fushë edhe të enjten. Kështu ka insistuar mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, në konferencën për shtyp të mërkurën. Thaqi ka thënë se te Cluji fillimisht duhet të mendojnë ta kalojnë Ballkanin dhe pastaj fazën e grupeve.

“E kemi parasysh që Cluji ka ambicie për të kaluar nga faza e grupeve, por edhe ne kemi synimet tona, ta mbyllim këtë fazë me rezultat pozitiv. Do të dalim në fushë për të dhënë më të mirën në këtë ndeshje që nuk do të jetë aspak e lehtë. Motivi nuk mungon, sidomos pas paraqitjeve të mira që i kemi pasur deri më tani në këtë garë. Për këtë arsye edhe duam ta mbyllim këtë fazë me një paraqitje të tillë. Kjo pjesëmarrje do të na mbetet si një përvojë e mirë për vitin e ardhshëm, pasi synojmë sërish të jemi në grupe”, është shprehur Thaqi. “Synimi është të marrim një rezultat të mirë ndaj Clujit, i cili së pari duhet të mendojë për të na kaluar neve dhe pastaj për kalimin e fazës së grupeve. Nuk do ta ketë aspak të lehtë, pasi jemi plotësisht gati për një paraqitje tjetër të mirë”.

Ballkani ndaj Clujit futet pas dy humbjeve rresht, ndaj Slavias (1:0) dhe Sivassporit (2:1). Në pesë ndeshje të luajtura Ballkani ka një fitore, një barazim dhe tri humbje. Po ashtu, Ballkani do të jetë edhe pa sulmuesin e krahut, Ermal Krasniqi që u lëndua javën e shkuar në kampionatin e Kosovës. Edhe trajneri Ilir Daja pret një paraqitje të mirë të ekipit të tij, ndonëse Clujin e ka vlerësuar lart.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë pasi luajmë me Clujin, ekip që po synon avancimin tutje. Po ashtu edhe për ne, edhe ndeshja e fundit dhe duhet të bëjmë një paraqitje të mirë siç kemi bërë deri më tani. Cluji nuk do ta ketë aspak të lehtë me ne edhe pse i nevojitet patjetër fitorja. Nuk kemi pretendime, por jemi maksimalisht të motivuar si në ndeshjet e tjera për të luajtur mirë”, tha Daja. “Shpresojmë ta mbyllim këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë të mundshme për ta pasur si kujtim paraqitjen e parë në Evropë. Pres të bëjmë një ndeshje të mirë për t’i kënaqur të gjithë dhe të jemi pjesë e spektaklit në fushë”.

Te Cluji kanë pranuar se nuk kanë tjetër opsion veç fitores për të avancuar tutje. Mirëpo, trajneri Dan Petrescu ka insistuar se Ballkani është një ekip i fortë dhe Clujin e pret një duel tejet i vështirë.

“Shansi ynë i vetëm për të shkuar tutje është të fitojmë, por Ballkani ka një ekip që ka shënuar gjashtë gola në udhëtim deri më tani, ndaj Slavias e Sivassporit. Është e qartë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. E kemi mundësinë të shkojmë në pranverën evropiane dhe do të ishte një sukses material dhe futbollistik. Ballkani është surpriza e këtij grupi”, tha Petrescu.

Edhe dueli tjetër i këtij grupi, ai mes Slavia Pragës dhe Sivassporit, zhvillohet prej orës 18:45.