Barcelona e prezanton Guendoganin

Mesfushori Ilkay Guendogan, përfundimisht është lojtar i Barcelonës. Skuadra spanjolle e ka prezantuar të hënën Guendoganin, i cili do ti bashkohet si lojtar i lirë pasi në fund të këtij muaji i skadon kontrata me Manchester Cityn.

Guendogan ka firmosur kontratë dyvjeçare me Barcelonën, si dhe ka opsionin e rinovimit edhe për vitin e tretë.

Në kontratën e tij, është përfshirë një klauzolë lirimi në vlerë prej 400 milionë eurosh. 32-vjeçari konsiderohet si përforcim i madh te Barcelona, duke pasur parasysh paraqitjet që i ka treguar me fanellën e Cityt, ekip ku edicionin e fundit ka bartur shiritin e kapitenit.

Ai ishte pjesë e Cityt prej vitit 2016 kur iu bashkua nga Borussia Dortmundi, ndërsa me ekipin anglez ka fituar 13 trofe, përfshirë dy tituj kampioni të Anglisë dhe një herë Ligën e Kampionëve.