Bastisjet e fundit, OVL e UÇK-së thërret protestë

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se nesër (e premte) do të organizojnë protestë për të kundërshtuar arrestimet dhe bastisjet e fundit që EULEX i ka bërë me urdhër të Dhomave të Specializuara.

Protesta është paralajmëruar se do të nisë nga ora 12:00 dhe do të mbahet në Fushë-Kosovë, para EULEX-it.

“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.

EULEX-i të enjten ka bastisur shtëpinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Behar Berisha. Ndërkaq ditëve të fundit, EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara ka sekuestruar telefonat personal të ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.