Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndër të tjera, në postimin ku bëri të ditur shpalljen e kandidaturës, Hamza thotë se PDK ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend.
“Të dashur qytetarë, Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të PDK-së, Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”.
“Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja”, ka shkruar ai.
“Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash. Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve. Ju falënderoj të gjithëve për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen!”