Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mbajtur Konventën e dymbëdhjetë zgjedhore, ku Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së.
Kryetari i sapozgjedhur i PDK-së, Bedri Hamza i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.
“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka shtuar ai.
Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.
“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, ka përfunduar Hamza.
Bedri Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi.