Bekimi rrëfen bisedën e gjyshit me komandantin serb, pasi ata kishin depërtuar në Kullat e Jasharajve

Kryetari i Skenderajt, djali i heroit Hamëz Jashari, Bekimi, për herë të parë është paraqitur në një debat televiziv duke folur edhe për çështje historike.

Bekim Jashari në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka treguar përballjen e parë të Jasharajve me forcat serbe.

Në vitin 1991 mëngjesin e hershëm forcat serbe kishin mësyrë shtëpitë e jasharajve për të arrestuar Ademin.

Pas disa minutave luftime, Rifati, Hamza dhe Ademi kishin arritur të thyejnë rrethimin serb dhe kishin depërtuar në mal ku kishin zhvilluar edhe luftime tjera.

Bekimi rrëfen edhe momentet kur serbët kishin hyrë në shtëpinë e jasharajve dhe bastisjet e shtëpive të tyre.

“Në ora 7:00 serbët kanë bërë thirrje me altoparlant për t’u dorëzuar. Gjyshi ka dalë i pari. I kanë kërkuar që të dorëzojë të gjithë meshkujt. Unë dola i pari pasi isha më i madhi dhe të tjerët me radhë. Na kanë lidhur dhe na kanë dërguar rreth 50 metra larg shtëpisë”.

“Nga ora 11:00 kanë filluar të hynë në shtëpi pasi nuk besonin se Rifati, Hamza e Ademi ishin larguar nga shtëpia. Kanë filluar të hyjnë brenda duke kontrolluar dhomë më dhomë por gjyshi me hallën ju printe sepse ishte kërkesë e tyre. Ne ende nuk e dinim që ka pasur luftime pasi ishim në gjumë. Pas shtëpisë së parë, gjyshi kishte filluar t’i dërgojë në shtëpitë tjera pasi kishim tri shtëpi për tre vëllezër”.

“Komandanti që e kishin pru me helikopterë nga Prishtina po e pyet gjyshin: “Ku po shkon o plako”. Gjyshi i është përgjigjur se edhe ato ishin shtëpia të tija. Ai (serbi) ia kthen: Pse po luftojnë pra ata djemtë e tu. Edhe pesëqind herë nëse bëhet Kosova shtet më shumë pasuri nuk mund të fitojë””.

Bekimi rrëfen se gjyshi u kishte thënë serbëve se ai djemtë e tij nuk i kishin kapur armët për pasuri por për liri.

“Pastaj gjyshin dhe 48 fshatarë të lagjes i kanë dërguar në Mitrovicë duke u bërë maltretime të rënda”, tregon ndër të tjera Bekim Jashari.