Berisha, Sveçlës: Askush nuk mund të gradohet pa qenë i afërm i juaji

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri, Bekë Berisha, e ka akuzuar për nepotizëm ministrin e Punëve të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçlën.

Sipas tij, Policia e Kosovës po shkon drejt politizimit dhe jo profesionalizimit.

Këto deklarata Berisha i ka bërë në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për sigurinë në Kosovë.

“Nëse e keni pasur gojën plotë në luftën ndaj nepotizmit dhe kapjes së shtetit, ajo çka dua të them është se askush nuk mund të gradohet në polici, nëse nuk është i afërm i juaji dhe nuk është në funksion të plotë të politikës suaj. Policia po fillon të politizohet dhe jo profesionalizohet. Nëse kemi folur për kapje, në fakt kuptimin e plotë të fjalës kapje po e bëni tani. Andaj duart larg nga policia”, ka deklaruar deputeti Berisha.

Ai tutje ka thënë se institucioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të jetë prioritet mbi prioritete për ekzekutivin.

“Ky institucion të shihet si prioritet mbi prioritete për shkak se pa siguri nuk ka zhvillim ekonomik, s’ka funksionim të asnjë institucioni dhe nuk ka shtet. Kurrë nuk duhet të harrojmë që ushtria e Kosovës përveç që e kemi amanet e cila themelet i ka në gjakun e heronjve tonë, po ashtu është ushtri që synon ti bashkohet ushtrive moderne të aleancës së NATO-s. Andaj sjellja në Kuvend e strategjisë së sigurisë kombëtare të Kosovës është prioritet mbi prioritetet. Njëkohësisht sigurimi i kushteve dhe armatimi i kësaj ushtrie me mjete moderne”.