Cakaj dorëzon detyrën tek Xhaçka: Jo vetëm një paraardhës politik, por mbështetësi më i madh i saj

Kryeministri dhe Ministri i i jashtëm, Edi Rama, së bashku me Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i dorëzuan sot zyrtarisht detyrën Ministres së sapoemëruar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Cakaj, në një reagim në facebook, lidhur me aktivitetin e zhvilluar, u shpreh se nga dita e sotme nuk do të jetë thjesht një paraardhës politik i Xhaçkës, por mbështetësi më i madh i saj, që ajo ta përfaqësojë Shqipërinë denjësisht e me shkëlqim të plotë, me arritje të rralla e paraqitje të fortë në fushën e politikës së jashtme.

“Për përkushtimin, devotshmërinë e profesionalizmin tënd, e dashur Olta, s’kam as më të voglin dyshim. Prandaj, të uroj nga zemra vetëm punë të mbarë e suksese të panumërta në rrugëtimin tënd si zonjë e hekurt, kryediplomatja e Shqipërisë. Do jem pranë teje sa herë e kërkon puna e në shërbim të Shqipërisë sa herë e kërkon nevoja”, theksoi Cakaj në postim.

Më tej, Cakaj pohoi se mbetet tepër krenar e ballëlartë për të gjitha arritjet e këtyre viteve të fundit në krye të MEPJ, duke përfshirë këtu forcimin e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për punën e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës dhe ngritjen e pashembullt të zërit në mbrojtje të Republikës së Kosovës, vendimin për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE, kryesinë e suksesshme të OSBE-së dhe afrimin historik për marrjen e ulëses jo të përherëshme në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023.

“Puna ime për Shqipërinë, natyrisht, nuk përfundon këtu. Ndërmarrja ime sot thjesht ndryshoi trajtë. Shqipëria për mua do të mbetet ëndrra që do t’i detyrohem për jetë.”- përfundoi Cakaj reagimin e tij.