Pas dështimit të votimit të Qeverisë së propozuar nga mandatari Albin Kurti, vendi hyn në fazën e dytë të procedurës kushtetuese për formimin e Qeverisë.
Kështu ka sqaruar përmes një statusi analitik Eugen Cakolli nga KDI, duke përmbledhur hapat që parashikon Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Presidentja e Republikës është e detyruar të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare për të vlerësuar cila prej tyre ka gjasat më të mëdha për të formuar shumicën në Kuvend. Cakolli thekson se ky proces nuk është formal, por real dhe duhet të mbështetet në mundësinë faktike për të siguruar 61 vota.
Pas përfundimit të konsultimeve brenda afatit 10-ditor, Presidentja duhet të vendosë kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e Qeverisë – një periudhë që Cakolli e cilëson si “më të ndjeshmen” politikisht dhe juridikisht.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, Presidentja nuk ka diskrecion të pakufizuar, por duhet të bazohet në kriterin e “gjasës më të madhe për të formuar Qeverinë”, qoftë partia fituese ose ndonjë tjetër që paraqet prova konkrete për mbështetje parlamentare.
Cakolli nënvizon se, nëse asnjë parti nuk pranon mandatin, Presidentja nuk mund ta shtyjë pafundësisht vendimmarrjen dhe në këtë rast ka detyrim kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.
Ai përfundon se, në mungesë të vullnetit politik, zgjedhjet e reja janë mjeti për rikthim të legjitimitetit institucional. Sipas llogarive të tij, datat më të mundshme për zgjedhjet e reja janë 30 nëntori, 7 dhjetori ose 14 dhjetori, në varësi të momentit kur Presidentja shpall zgjedhjet.