Cheddira po i shijon suksesin me Marokun: Mund të luaja edhe për Italinë

Walid Cheddira është një nga 26-lojtarët që përfaqësojnë Marokun në këtë kampionat Botëror. Sulmuesi që aktivizohet me klubin e Barit në Itali, nuk është një titullar fiks i kombëtares afrikane.Megjithatë, ashtu si pjesa tjetër e lojtarëve, edhe ai po e shijon suksesin dhe faktin që Maroku për herë të parë në histori mbërrin në çerekfinalet e një Kupe Bote.Së fundmi, 24-vjeçari thekson se mund të kishte përfaqësuar edhe Italinë pasi e ka pasaportën, megjithatë nuk mund të refuzonte Marokun kur trajneri Regragui e grumbulloi.

“Unë e kam ndjekur Barin në këto ditë, edhe pse jam larg mbështetja nuk mungon. Unë, Thuram, por edhe Zalewski jemi përfaqësuesit e Italisë në këtë Botëror, pasi aty kemi lindur. Megjithatë, unë tani përfaqësoj Marokun dhe jam shumë i lumtur. Mund edhe të kisha zgjedhur Italinë pasi e kam pasaportën, por kur trajneri Regragui më grumbulloi nuk mund ta refuzoja.

Ndjeva shumë përgjegjësi dhe u vendosa në dispozicion të kombëtares menjëherë.

Më vjen keq që nuk e godita portën kundër Spanjës, do të doja të kisha shënuar, por mbrojtësi u treguan shumë të zotë. Gjithsesi, për fatin e mirë ia dolëm të kualifikoheshim dhe është një arritje historike pasi për herë të parë jemi në çerekfinale. Duhet të qetësohemi dhe të mos harrojmë se pas katër ditëve na pret ndeshja e radhës, ndaj Portugalisë”, u shpreh Cheddira.